Ndërlidhjet

Zelenskiyt "iu ofrua vizitë në Uashington" në këmbim të hetimit të Bidenit


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Diplomatë të lartë amerikanë duket se i kanë ofruar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, vizitë të profilit të lartë në Uashington, në këmbim të zotimit të tij për të bërë disa hetime të lidhura me familjen e ish-nënpresidentit amerikan, Joe Biden.

Korrespondenca e emaileve u bë publike nga anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, pas një interviste 10-orëshe me Kurt Volker, ish-të dërguarin e SHBA-së në Ukrainë, i cili ka dhënë dorëheqje javën e kaluar, pasi emri i tij është përmendur në ankesën e një informatori.

Kjo ankesë është bërë shkak që demokratët në SHBA të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit.

Në ankesën që është bërë publike thuhet se Trump i ka kërkuar Zelenskiyt të hetojë kundërshtarin e tij politik, Biden, dhe djalin e tij për korrupsion në Ukrainë.

Demokratët e kanë cilësuar këtë veprim si "tradhti ndaj betimit të presidentit dhe të sigurisë kombëtare".

Shtëpia e Bardhë po ashtu e ka publikuar transkriptimin e redaktuar të bisedës Trump-Zelenskiy.

Sipas emaileve të publikuara të enjten vonë, një këshilltar i Zelenskiyt duket se e ka pranuar propozimin për vizitën e presidentit ukrainas në Uashington.

Presidenti Trump e ka cilësuar gjithë këtë sagë si "mashtrim" dhe "gjueti shtrigash".

XS
SM
MD
LG