Ndërlidhjet

NYT: Zyrtarët perëndimorë besojnë se një njësi ruse është përgjegjëse për sulmet në Evropë


Pamje nga hetimet pas helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal, foto nga arkivi.
Pamje nga hetimet pas helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal, foto nga arkivi.

Zyrtarë perëndimorë të sigurisë kanë identifikuar një njësi ruse të inteligjencës, që ka tentuar të kryejë vrasje dhe operacione destabilizuese në shtete të huaja, ka raportuar e përditshmja The New York Times.

Gazeta ka raportuar se ndonëse zyrtarët kanë identifikuar këtë njësi në muajt e fundit, ata besojnë se ka vepruar në fshehtësi për të paktën një dekadë.

Njësia me shifër, 29155, ka bazën në Moskë dhe është pjesë e agjencisë ushtarake për inteligjencë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila njihet si GRU.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se kjo njësi është përgjegjësi për dy tentimet për helmimin e shitësit të armëve, Emilan Gebrev më 2015, për tentimet për puç më 2016 në Malin e Zi, që ka përfshirë edhe tentimet për vrasje të kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, si dhe për tentimet për helmim të ish-agjentit rus, Sergei Skripal në Londër.

Ndonëse edhe më herët këto incidente u janë mveshur forcave ruse të sigurisë, zyrtarët perëndimorë tani besojnë se ato janë kryer nga një njësi e vetme e inteligjencës ushtarake ruse.

“Ekziston një njësi e GRU-së që ka qenë aktive për vite në gjithë Evropën”, ka thënë një zyrtar i paidentifikuar i sigurisë në Evropë për New York Times.

Duke folur para gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka hedhur poshtë këto raportime duke thënë se Moska nuk ka asnjë interes për të destabilizuar shtetet evropiane, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Më 2006, presidenti rus, Vladimir Putin, ish anëtar i KGB-së sovjetike, dhe dikur drejtues i Shërbimit Federal për Siguri (FSB), pati nënshkruar një ligj që autorizon agjencitë e sigurisë që të kryejnë vrasje të shënjestruara jashtë shtetit.

Vladimir Putin dhe skandalet gjatë 20 vjetëve në pushtet

Në po atë vit, ish zyrtari i FSB-së, Aleksandr Litvinenko ishte vrarë në Londër.

Zyrtarët britanikë kanë lidhur këtë vrasje me FSB-në.

Disa zyrtarë evropianë të sigurisë i kanë thënë New York Times-it se ata janë të befasuar nga kualiteti i dobët i punës i njësisë, 29155.

Ata përmendin se Skripal dhe Gebrev u kanë mbijetuar tentim-vrasjeve kundër tyre si dhe puçi në Malin e Zi ka dështuar.

Publikohen video të reja të sulmuesve të dyshuar të Skripalëve

Edhe i dyshuari i dytë në rastin Skripal është nderuar nga Putini​

Shpallen fajtorë të akuzuarit për përpjekjen për puç në Mal të Zi​

Në të trija rastet, hetuesit kanë gjetur të dhëna se komplotet lidhen me forcat ruse të sigurisë.

XS
SM
MD
LG