Ndërlidhjet

Takim trepalësh në Novi Sad: Vuçiq, Rama dhe Zaev


Flamuri i Shqipërisë, Serbiës dhe Maqedonisë së Veriut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takojë sot kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Sipas njoftimeve nga Zyra për Media e presidentit të Serbisë, takimi trepalësh do të zhvillohet në Novi Sad.

Agjenda e bisedimeve nuk është specifikuar por supozohet se temë kryesore do të jetë ideja për eliminimin e barrierave tregtare, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Takimi vjen pas një deklarate të mëhershme të Vuçiqit, i cili ka propozuar një qasje të përbashkët të këtyre vendeve, ngjashëm sikurse Grupi i Vishegradit, i cili përbëhet nga Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia.

Në atë rast Vuçiq ka thënë se të vepruarit si bllok do t’iu jepte vendeve të Ballkanit reputacion më të mirë në Evropë.

Zyrtarët serbë ndërkohë kanë theksuar se thelbi i bllokut do të qëndronte në krijimin e një tregu të përbashkët dhe një destinacioni të vetëm investimesh.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë thënë se çdo hap do të diskutohet me partnerët e tyre evropianë dhe amerikanë.

Në Shqipëri tash për tash nuk ka deklarata zyrtare në lidhje me këtë ide.

Lexoni edhe këtë artikull: Afaristët: "Mini schengen”-i ballkanik të përfshijë të gjitha vendet

XS
SM
MD
LG