Ndërlidhjet

Rusia zotohet se do të parandalojë përleshjet Turqi-Siri


I dërguari special i Moskës për Sirinë, Alexander Lavrentyev.
I dërguari special i Moskës për Sirinë, Alexander Lavrentyev.

Rusia ka thënë se nuk do të lejojë përleshje në mes të forcave turke dhe atyre siriane, teksa vazhdon operacioni i ushtrisë turke në Siri.

“Kjo është thjesht e papranueshme, prandaj ne nuk do ta lejojmë këtë gjë”, ka thënë i dërguari special i Moskës për Sirinë, Alexander Lavrentyev.

Ai ka thënë se zyrtarët turq dhe ata sirianë janë në kontakt në mënyrë që të anashkalojnë çdo konflikt.

Sipas kritikëve, tërheqja e trupave amerikane nga ky rajon një javë më parë, i ka dhënë Turqisë “dritën e gjelbër” për nisje të operacionit.

Forcat kurde, që kanë ndihmuar në mposhtjen e grupit militant, Shteti Islamik në Siri, e kanë përshkruar largimin e forcave amerikane nga verilindja e Sirisë si “thikë pas shpinës”.

Rusia është aleatja kyçe ushtarake e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se forcat e saj, që janë të pozicionuara në Siri nga viti 2015, janë duke patrulluar në “linjën e kontaktit” në mes të forcave siriane dhe atyre turke.

Turqia ka kërcënuar një kohë të gjatë se do të nisë sulme kundër luftëtarëve kurdë në Siri.

Ankaraja i konsideron kurdët sirianë si pjesë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde brenda Turqisë për tri dekada me radhë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se ofensiva e nisur më 9 tetor synon të krijojë një “zonë të sigurt” dhe të shënjestrojë militantët kurdë, bashkë me grupin ekstremist, Shteti Islamik në verilindje të Sirisë.

XS
SM
MD
LG