Ndërlidhjet

Gjendje e jashtëzakonshme në disa pjesë të Kilit, shkak protestat


Santiago, Kili

Qeveria e Kilit do të shtrijë gjendjen e jashtëzakonshme në qytetet në veri dhe jug, tha presidenti i këtij vendi, Sebastian Pinera, pasi së paku shtatë njerëz u vranë në protestat e dhunshme dhe në sulmet me zjarrvënie gjatë fundjavës.

"Jemi në luftë kundër një armiku të fuqishëm, i cili është i gatshëm të përdorë dhunën pa asnjë kufi", tha Pinera në një deklaratë televizive nga selia e ushtrisë në Santiago.

Ai konfirmoi se gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në Santiago të shtunën mbrëma, do të shtrihet edhe në qytete të tjera.

Protestat, e drejtuara nga studentët, filluan dy javë më parë kundër rritjes së tarifave në transportin publik.

Protestues në kryeqytetin e Kilit, Santiago.
Protestues në kryeqytetin e Kilit, Santiago.

Ato u zgjeruan më pas në një lëvizje kundër kostos së jetesës dhe pabarazisë.

Duke folur para gazetarëve, ministri i Brendshëm i Kilit, Andres Chadwick, tha se ka pasur 70 "incidente serioze të dhunës", përfshirë 40 grabitje të supermarketeve dhe bizneseve të tjera.

"Po përballemi me një përshkallëzim të vërtetë të situatës që është padyshim i organizuar për të shkaktuar dëme serioze në vendin tonë dhe në jetën e secilit prej qytetarëve", tha ai.

Chadwick konfirmoi se rreth 10,500 policë dhe ushtarë janë vendosur në rrugë.

Sipas autoriteteve, më shumë se 1,400 njerëz u arrestuan në të gjithë vendin.

Pinera e pezulloi rritjen e çmimit të metrosë në Santiago të shtunën.

XS
SM
MD
LG