Ndërlidhjet

Refuzohet kërkesa e kryeministrit britanik për votim të marrëveshjes për Brexit


Kryetari i Parlamentit britanik, John Bercow.

Kryetari i Parlamentit britanik, John Bercow ka refuzuar kërkesën e Qeverisë Britanike për të votuar rreth marrëveshjes për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka arritur marrëveshje me BE-në për Brexit javën e kaluar, mirëpo ajo duhet ta ketë edhe miratimin e parlamentit të Britanisë.

Bercow ka thënë se kërkesa për votim të marrëveshjes është sjellë përpara parlamentit edhe të shtunën, andaj një miratim i dyfishtë i thirrjes do të ishin “përsëritje” e debatit.

Në senacën e mbajtur të shtunën, ligjvënësit janë pajtuar që marrëveshja e Johnsonit nuk mund të zbatohet derisa të kthehet në ligj, me miratim të deputetëve.

Qeveria britanike në anën tjetër insiston që ky shtet duhet të largohet nga BE-ja më 31 tetor.

Teksa kanë mbetur vetëm 10 ditë deri në datën kur Mbretëria e Bashkuar është planifikuar të largohet nga blloku evropian, kushtet e divorcit janë sërish të paqarta, meqë disa politikanë britanikë kërkojnë marrëveshje, të tjerë largim pa pakt dhe ka zëra për referendum të dytë.​

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

XS
SM
MD
LG