Ndërlidhjet

Azem Syla ftohet për intervistim nga Gjykata Speciale


Prokuroria e Specializuar, Hagë.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla është ftuar për intervistim nga Prokuroria e Specializuar për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Besnik Berisha.

Ai tha shkurt se “ende nuk dihen detajet” se në çfarë cilësie është ftuar Syla nga Gjykata Speciale.

Prokuroria e Specializuar, deri më tash, ka ftuar për intervistim rreth 100 persona, ndër ta edhe disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, që pas luftës, ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, sikurse Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, por edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar, janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

XS
SM
MD
LG