Ndërlidhjet

Policia e Shqipërisë thotë se ka parandaluar një komplot terrorist nga Irani


Tiranë

Policia e Shqipërisë tha të mërkurën se ka penguar një sulm të planifikuar nga një "qelizë terroriste", e mbështetur nga Teherani, kundër kundërshtarëve të regjimit iranian në Shqipëri, vitin e kaluar.

Në deklaratën për media, policia tha se grupi i përkiste forcës elitare Quds, e cila zhvillon operacione të huaja për Gardën Revolucionare të Iranit.

Kjo qelizë "ka planifikuar, veç tjerash, një akt terrorist në mars të vitit 2018", me në shënjestër një festë fetare të komunitetit bektashi në Tiranë, thuhet në deklaratë.

Sipas saj, në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe anëtarë të grupit të mërguar të opozitës iraniane, Muxhahedinët e Popullit të Iranit.

"Celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore", tha Policia e Shqipërisë.

Në vitin 2013, Shqipëria ka rënë dakord për të pranuar qindra anëtarë të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, me kërkesë të Uashingtonit dhe Kombeve të Bashkuara.

Ata aktualisht jetojnë në një kompleks në veriperëndim të këtij vendi.

Në janar, Bashkimi Evropian ka sanksionuar shërbimet e inteligjencës së Iranit, pasi ka konstatuar se Teherani është përfshirë në komplote për të vrarë kundërshtarët e regjimit të tij në Holandë, Danimarkë dhe Francë.

XS
SM
MD
LG