Ndërlidhjet

Hungaria thellon raportet me Rusinë


Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban gjatë një takimi në vitin 2018.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban gjatë një takimi në vitin 2018.

Presidenti rus, Vladimir Putin viziton Hungarinë më 30 tetor për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e energjisë.

Ai do të pritet nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili insiston për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë nga ana e Bashkimit Evropian, të vendosura pas aneksimit të gadishullit të Krimesë në Ukrainë.

Putin dhe Orban kundërshtojnë vlerat liberale perëndimore.

"Gjatë bisedimeve, palët do të diskutojnë mbi një gamë të gjerë të çështjeve të bashkëpunimit ruso-hungarez, para së gjithash, në sektorin tregtar dhe ekonomik, pastaj kulturor dhe humanitar", tha shërbimi për media i Kremlinit.

Hungaria është mbështetur kryesisht në Rusinë për furnizimin me gaz natyror, si dhe një linjë kredie prej 10 miliardë eurosh për stacionin bërthamor të vetëm të vendit.

Një burim i njohur me e vizitën i tha Reutersit se çështja e gazsjellësit “Rrjedha Turke” që pritet të kalojë përmes Bullgarisë, Serbisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, do të jetë temë e diskutimeve ndërmjet Orbanit dhe Putinit.

Hungaria - kontrata e gazit e së cilës me Rusinë skadon në 2021 - aktualisht merr gaz rus në tubacionet që kalojnë në Ukrainë. Ajo kontratë e veçantë e transportit të gazit Kijev-Moskë skadon më 31 dhjetor.

Megjithëse Hungaria si anëtare e BE-së, ndonjëherë mbron Rusinë brenda bllokut 28-anëtarësh, ajo kurrë nuk e ka vënë veton ndaj sanksioneve kundër Moskës.

XS
SM
MD
LG