Ndërlidhjet

Dhoma e Përfaqësuesve zyrtarizon vazhdimin e hetimeve për shkarkim të Trumpit


Ndërtesa e Kongresit në Uashington.

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar një rezolutë për të vazhduar zyrtarisht hetimet për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në këtë fazë është votuar për kalimin në fazë publike të hetimit dhe jo nëse duhet shkarkuar presidenti.

Ky votim ka qenë testimi i parë formal, për atë nëse ekziston mbështetje për të shkarkuar Trumpin në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga demokratët.

Shtëpia e Bardhë e ka dënuar këtë votim.

Deri më tani, seancat janë mbajtur me dyer të mbyllura

Republikanët kanë kritikuar demokratët për seancat e mbyllura deri në këtë pikë, në të cilat kanë marrë pjesë edhe deputetët republikanë.

Mirëpo demokratët kanë thënë se iu është dashur të mbledhin më shumë të dhëna para fazës publike, duke mohuar pretendimet se kanë vepruar në mënyrë sekrete.

Presidenti amerikan, Donald Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të kryer hetime rreth disa pretendimeve për korrupsion kundër rivalit të tij politik, Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter, i cili ka punuar në kompaninë ukrainase të gazit, Burisma.

Trump ka mohuar çdo keqbërje dhe i ka cilësuar hetimet për shkarkim si “gjueti shtrigash”.

Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.

XS
SM
MD
LG