Ndërlidhjet

Turqi: 15 vjet burgim për dy nga gjashtë turqit e dëbuar nga Kosova


Studentët e shkollës "Mehmet Akif" në Prishtinë, duke protestuar për dëbimin e arsimtarëve.

Një gjykatë në Turqi ka dënuar me nga shtatë vjet e gjashtë muaj burgim dy nga gjashtë personat e dëbuar nga Kosova në Turqi në mars të vitit të kaluar, raporton agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

Osman Karakaya dhe Cihan Özkan janë shpallur fajtorë për "pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste", derisa janë liruar nga akuza,”spiunazh ndërkombëtar".

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e 30-të të Krimeve të Rënda në Stamboll, Karakaya dhe Özkan është thënë të kenë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

“Në aktakuzën e përgatitur nga Prokuroria Republikane e Stambollit, gjashtë të dyshuarit, ndër të tjera, ngarkoheshin me akuzat ‘drejtim i një organizate terroriste të armatosur’ dhe ‘Spiunim ndërkombëtar’ dhe për ta ishte kërkuar burgim nga 16 vite e gjashtë muaj deri në 28 vjet”, ka raportuar Anadolu.

Gjashtë turq ishin dëbuar nga Kosova në Turqi më 29 mars të vitit të kaluar.

Autoritetet turke kanë thënë se ata janë pjesëtarë të organizatës FETO, të cilën Ankaraja e konsideron terroriste.

Pesë prej shtetasve turq të dëbuar ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, e lidhur ngushtë me klerikun turk, Fethullah Gylen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar për ndriçimin e këtij rasti.

Ky Komision ka identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq. Komisioni ka gjetur shkelje në secilën fazë, që nga revokimi i lejeve të qëndrimit për 6 shtetasit turq e deri te largimi i tyre nga Kosova.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj pati deklaruar atëbotë se nuk ka qenë në dijeni për këtë operacion.

Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar 22 kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës në lidhje me këtë rast.

Familjarët e turqve të deportuar kërkojnë drejtësi dhe azil në Kosovë

XS
SM
MD
LG