Ndërlidhjet

PZAP kërkon rinumërim të 1,472 vendvotimeve dhe anulon votat nga Serbia


Qendër e numërimit të votave në Kosovë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë njoftoi se, pas ankesave të parashtruara nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, ka marrë vendim që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia.

Ankesat janë ngritur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar javën e kaluar, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

"PZAP-i, 53 ankesa i ka pranuar të bazuara. Prej tyre, lidhur me 52 ankesa, paneli ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1,472 vendvotimeve. Ndërsa, lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma - Aleanca Kosova e Re - Partia e Drejtësisë, ka urdhëruar KQZ-në që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia", thuhet në njoftimin e PZAP-it.

Sipas Koalicionit Nisma-AKR-PD, zarfet me vota nga Serbia "nuk dihet se nga e kanë identitetin e tyre dhe origjinën".

Ky koalicion, sipas rezultatit të KQZ-së, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e muajit të kaluar.

PZAP-i po ashtu njoftoi se 23 ankesa janë shpallur të pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe një ankesë është konstatuar e tërhequr.

KQZ-ja, më pas, njoftoi se i ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG