Ndërlidhjet

Disa të vrarë dhe të plagosur gjatë trazirave në Irak


Protestat në Irak.

Katër persona janë vrarë dhe rreth 62 të tjerë janë plagosur, më 14 nëntor, në protestat e dhunshme në Bagdad të Irakut.

Përleshjet midis protestuesve dhe forcave të sigurisë ndodhën në zonën e Khilani pranë Sheshit Tahrir.

Të paktën 320 njerëz janë vrarë dhe mijëra janë plagosur që nga fillimi i protestave më 1 tetor, të cilat po zhvillohen në Bagdad dhe provincat jugore kryesisht shiite. ​

Irakianët po protestojnë për, siç thonë, nivelin e lartë të korrupsionit, mungesën e mundësive për punë dhe shërbime të dobëta, përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike, pavarësisht pasurisë së madhe të vendit me naftë.

Kryeministri i Irakut, Adil Abdul-Mahdi, ka deklaruar se protestat, të cilat "tronditën sistemin politik", kishin arritur qëllimin e tyre dhe duhet të ndalen.

Ai u ka bërë thirrje protestuesve të ndihmojnë në rivendosjen e jetës normale në të gjithë vendin dhe tha se trazirat i kushtojnë ekonomisë "miliarda dollarë".

Irani, i banuar me shumicë shiite, ka ndikim të madh në Irak, që nga rrëzimi i diktatorit Saddam Hussesin, dhe mbështet milici të fuqishme shiite atje.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara akoma i sigurojnë Irakut ndihmë ushtarake, politike dhe financiare, dhe Bagdadi ka provuar të balancojë lidhjet e tij si me Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe me Iranin fqinj.

XS
SM
MD
LG