Ndërlidhjet

Presidenti iranian shpall fitore ndaj protestave kundër qeverisë


Presidenti iranian, Hasan Rohani.
Presidenti iranian, Hasan Rohani.

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka pretenduar të mërkurën fitore ndaj protestave për të cilat ka fajësuar armiqtë e huaj, transmeton media shtetërore.

Protestat në Iran janë mbajtur së fundmi për shkak të rritjes së çmimit të naftës, dhe për pasojë kanë vdekur dhjetëra persona.

“Populli iranian ka shënuar sërish sukses në një test historik dhe ka treguar se nuk do të lejojë armiqtë të përfitojnë nga situata, edhe pse mund të kenë ankesa për menaxhimin e shtetit”, ka thënë Rohani, sipas transmetuesit shtetëror IRIB.

Sipas këtij transmetuesi, mijëra iranianë u janë bashkuar marsheve pro-qeveritare në disa qytete të mëkurën, pasi organizata ndërkombëtare, Amnesty International ka thënë që më shumë se 100 persona kanë vdekur në protesta.

“Protestat e rastësishme pro-qeveritare të cilat po i shihni janë shenjë e madhe e fuqisë së popullit iranian”, ka thënë Rohani.

Irani ka kufizuar qasjen në Internet, duke e bërë gati të pamundshme për protestuesit që të postojnë video të protestave në rrjetet sociale.

Sipas zyrtarëve, rreth 1,000 protestues janë arrestuar.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut ka pranuar raporte se dhjetëra persona kanë vdekur.

Zemërimi në Iran është rritur për shkak të rënies së vlerës së valutës dhe rritjes së çmimit të produkteve bazike për jetesë, prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Pas largimit nga kjo marrëveshje, SHBA-ja ka kthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit.

Qeveria ka thënë se rritja e çmimeve do të ndikojë në mbledhjen e 2.55 miliardë dollarëve në vit si subvencione për 18 milionë familje që kanë të ardhura të ulëta.

XS
SM
MD
LG