Ndërlidhjet

Kremlini i bindur që "spiunimi" nuk do ta dëmtojë partneritetin me Serbinë


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kremlini shprehu besimin se vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, muajin e ardhshëm në Moskë, "do të demonstrojë edhe një herë frymën e partneritetit" midis dy vendeve.

Deklarata vjen pasi Beogradi tha se ka zbuluar një skandal spiunimi, ku përfshihen agjentët rusë.

"Besojmë se vizita është shumë e rëndësishme dhe ne e kuptojmë se ekzistojnë disa palë që duan ta dëmtojnë atë", tha Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

"Jemi të bindur se palët e tilla do të dështojnë", shtoi ai.

Serbia synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por, në të njëjtën kohë, është aleate e ngushtë e Moskës.

Vuçiq, të enjten, konfirmoi se një zyrtar i inteligjencës ruse, gjatë një takimi në dhjetor të vitit të kaluar, i ka dhënë ryshfet një koloneli të pensionuar serb.

Vuçiq i bëri deklaratat pas publikimit të një videoje në YouTube, në lidhje me këtë takim.

Presidenti serb po ashtu tha se shërbimet e sigurisë në Serbi kanë gjetur dëshmi edhe për dhjetë kontakte midis agjentëve rusë dhe zyrtarëve serbë.

Megjithatë, ai shtoi se operacioni i spiunimit nuk do t'i ndikojë marrëdhëniet "shumë miqësore" të Serbisë me Rusinë.

Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi videon në YouTube si "provokim" përpara takimeve të rëndësishme të nivelit të lartë.

XS
SM
MD
LG