Ndërlidhjet

Vuçiq dhe Lista Serbe reagojnë pas dënimit të Teodosijeviqit


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e Listës Serbe (foto arkiv)
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e Listës Serbe (foto arkiv)

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se në rast se aktgjykimi ndaj ish-ministrit Ivan Todosijeviq, bëhet i plotëfuqishëm, atëherë do të ftojë serbët që të dalin nga institucionet e Kosovës.

Sipas tij, thirrja për të lënë vendet e punës, do t’iu bëhet të gjithë përfaqësuesve të pakicës serbe në Kosovë.

Ish-ministri i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq, u dënua të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë me dy vjet burgim për një deklaratë të bërë në mars, me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave - fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.

Me atë rast, Teodosijeviq tha se "arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Lidhur me dënimin e politikanit serb të Kosovës, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se ky është “vendim i frikshëm” i Prishtinës.

Vuçiq tha se sa i përket Reçakut në vitin 1999 “bëhet fjalë për krim të trilluar, dhe se gjithçka ishte trillim i një mashtruesi, siç është William Wolker”.

“Këtë do ta përseris çdo ditë dhe të shohim se kush do të na gjykojë”, tha Vuçiq.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe.në Reçak ishte cilësuar "krim kundër njerëzimit" nga ish - shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.

XS
SM
MD
LG