Ndërlidhjet

Revista Time shpall Greta Thunberg person të vitit


Greta Thunberg

Revista Time e ka shpallur aktivisten kundër ndryshimeve klimatike, Greta Thunberg, person të vitit.

Çdo vit, kjo revistë, e shpall si fitues një personalitet, grup ose lëvizje, që ka pasur më së shumti ndikim në 12 muajt e kaluar.

Në listën e Time këtë vit ishin edhe presidenti amerikan, Donald Trump, kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe protestuesit e Hong Kongut.

"Ajo ka arritur të krijojë në botë, një zhvendosje të qëndrimit për këtë çështje, duke kërkuar ndryshime urgjente. Ajo ka ofruar një thirrje morale për ata që janë të gatshëm të veprojnë", tha revista Time, pasi e shpalli 16-vjeçaren suedeze person të vitit.

Por, sipas revistës, "veprimet për klimën janë aq komplekse sa vetë fenomeni dhe Thunberg nuk ka zgjidhje magjike për këtë çështje".

Thunberg ka qenë favorite për të fituar Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2019, mirëpo i njëjti është ndarë për kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed.

Më 30 tetor, Greta Thunberg, ka kthyer mbrapsht një çmim për ambientin, bashkë me një shumë të të hollave, me arsyetimin se “lëvizja për klimën nuk ka nevojë për më shumë çmime”. Ajo ka falënderuar Këshillin Nordik për ofrim të këtij shpërblimi, dhe ka thënë se për të është “një nder i madh”.
Mirëpo sipas saj “politikanët dhe njerëzit në pushtet” duhet të dëgjojnë “shkencën aktuale”.

Më 11 dhjetor në kuadët të samitit për klimën të Kombeve të Bashkuara që po mbahen në Spanjë, Thunberg tha se dekada e ardhshme do të përcaktojë të ardhmen e planetit. Ajo akuzoi liderët botërorë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të mos bërë ndryshime thelbësore në çështjen e klimës.

XS
SM
MD
LG