Ndërlidhjet

Presidenti Thaçi thërret seancën konstituive të Kuvendit më 24 dhjetor


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke u thirrur në kompetencat kushtetuese ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, për datën 24 dhjetor.

Në një komunikatë për media të Zyrës së Presidentit, thuhet se “Presidenti ka nxjerrë vendimin për thirrjen e mbledhjes së parë të legjislaturës së shtatë të Kosovës, e cila do të mbahet me datën 24 dhjetor 2019, duke filluar nga ora 9:00”.

Kryetari dhe Kryesia e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për mbledhjen e parë të përbërjes së re të Kuvendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar më 27 nëntor rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 6 tetor.

Infografikë: Si duket Kuvendi i ri i Kosovës?

Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 28, PDK-ja, 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 13, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë.

Ndërkaq, nga komunitetet joshumicë, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende kanë fituar së bashku të gjitha partitë e minoriteteve joserbe.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.

Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.

XS
SM
MD
LG