Ndërlidhjet

Shpërndahet parlamenti i Izraelit, zgjedhjet e reja më 2 mars


Parlamenti i Izraelit.

Izraeli do të mbajë zgjedhjet e reja të përgjithshme më 2 mars 2020.

Këto do të jenë zgjedhjet e treta në më pak se një vit, pasi parlamenti vendosi të shpërndahet si pasojë e pamundësisë së formimit të qeverisë së re.

Asnjëra nga partitë politike, nuk arriti që të formojë një shumicë parlamentare për formimin e qeverisë.

Partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ajo Bardh e Blu e ish-gjeneralit, Benny Gantz, zhvilluan bisedime për mundësinë e një koalicioni të gjerë, mirëpo nuk arritën pajtim.

Zgjedhjet e ardhshme, megjithatë, do të mbahen nën hijen e një aktakuze për korrupsion ndaj kryeministrit Netanyahu, e cila u shpall muajin e kaluar.

Netanyahu, 70 vjeç, ka akuzuar autoritetet ligjore për përpjekjen e një "grusht shteti".

Kritikët pohuan se Netanyahu po përpiqej të minojë shtetin e së drejtës dhe të vendosë një temë të fushatës zgjedhore duke e portretizuar veten si viktimë e komplotit.

Si kryeministër, Netanyahu nuk ka asnjë detyrim ligjor të japë dorëheqjen si rezultat i aktakuzës, dhe ndërsa është në detyrë, ai mund t'i kërkojë legjislaturës imunitet nga ndjekja penale.

Netanyahu do të mbetet në këtë post deri sa të formohet një qeveri e re - një proces që mund të zgjasë disa muaj, pas zgjedhjeve të marsit.

XS
SM
MD
LG