Ndërlidhjet

Gjykata saudite dënon me vdekje pesë persona për rastin e gazetarit Khashoggi


Jamal Khashoggi.

Prokurori publik i Arabisë Saudite thotë se pesë persona janë dënuar me vdekje, për rastin e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, vitin e kaluar.

Prokurori publik njoftoi gjithashtu se tre persona tjerë janë dënuar me gjithsej 24 vjet burgim, në lidhje me rastin, që kishte shkaktuar zemërim ndërkombëtar.

Khashoggi, një banor amerikan dhe kolumnist i gazetës amerikane Washington Post, u vra në konsullatën Saudite në Stamboll, në tetor të vitit 2018.

Shërbimet e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin, se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, sundimtari de fakto i mbretërisë, urdhëroi vrasjen.

Por, për vdekjen e gazetarit, Riadi i shpalli fajtor zyrtarët e inteligjencës saudite.

Prokurori njoftoi se ish-këshilltari i lartë i princit të kurorës, Saud al-Qahtani, nuk ishte përfshirë në vrasje.

Sidoqoftë, Al-Qahtani është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për rolin e tij të supozuar në operacion.

Të dyshuarit u gjykuan në bazë të procedurave sekrete suadite.

Khashoggi u pa për herë të fundit më 2 tetor të vitit 2018 duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, ku ai kishte shkruar për të marrë dokumente personale. Trupi i tij u raportua të jetë copëtuar brenda ndërtesës. Eshtrat e tij nuk janë gjetur.

XS
SM
MD
LG