Ndërlidhjet

Putin inauguron linjën hekurudhore Rusi-Krime


Presidenti rus, Vladimir Putin, në ceremoninë e hapjes së linjës hekurudhore mes Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka marrë pjesë të hënën në ceremoninë e hapjes zyrtare të urës që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia.

Kievi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ndërtimet e nisura nga Rusia, duke i konsideruar si shkelje të sovranitetit të Ukrainës, andaj fuqitë botërore kanë vënë sanksione në kompanitë e lidhura me ndërtimin e urës 19-kilometërshe.

Putin në anën tjetër ka falënderuar punëtorët për përpjekjet e tyre për të ndërtuar “këtë projekt gjigant”, në një ceremoni të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror rus.

Në muajin nëntor, kompania private hekurudhore, Grand Service Express ka njoftuar se treni i parë do të nisej nga Shën Petersburgu për në Sevastopol më 23 dhjetor dhe do të udhëtojë, 2,741 kilometra për 43 orë e gjysmë.

Kjo urë ka kushtuar 3.7 miliardë dollarë dhe është ura më e gjatë në Evropë, duke tejkaluar urën Vasco de Gama të Portugalisë.

Pjesa hekurudhore e inauguruar sot është shtesë e hapësirës së ndarë për makina të hapur në maj të vitit të kaluar.

Krimea është e lidhur vetëm me Ukrainën, andaj për ta lidhur atë me Rusinë është nevojitur një urë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka dënuar ndërtimin e urës, duke thënë se është bërë “pa lejen e Qeverisë së Ukrainës”.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014. Ky aneksim nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Rusia po ashtu ka mbështetur luftëtarët separatistë në luftimin e forcave të Kievit në lindje të Ukrainës, në një luftë që ka lënë të vrarë më shumë se 13,000 persona nga viti 2014.

XS
SM
MD
LG