Ndërlidhjet

Republikanët dhe demokratët përplasen për procedurat e gjykimit të Trumpit


Kongresi amerikan

Udhëheqësit republikanë dhe demokratë në Senatin e SHBA-së, janë përplasur lidhur me rregullat që duhet ndjekur, në gjykimin për shkarkim ose jo të presidentit amerikan, Donald Trump.

Demokratët dëshirojnë që gjatë gjykimit në Senat, të lejohen dëshmitarët dhe dokumentet, për të mundësuar atë që ata e përcaktojnë "një gjykim të drejtë".

Udhëheqësi demokrat, Chuck Schumer, thotë se rrjedhja në publik e një email-i në lidhje me ndihmën për Ukrainën është një rikujtesë për gjykim të hapur.

Udhëheqësi republikan, Mitch McConnell, thotë se dëshmitarët nuk janë përjashtuar.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi dy akuzat kundër presidentit Trump, gjatë javës së kaluar.

Ai akuzohet për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Hetimi ndaj tij fillloi pasi një informator i paidentifikuar e informoi Kongresin për një telefonatë midis presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenksyit, e zhvilluar në korrik të këtij viti.

Sipas tij, gjatë bisedës Trump i kishte kërkuar Zelenskyit që Ukraina të hetojë për korrupsion, rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter.

Joe Biden është ndër pretendentët kryesorë, për të fituar nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Trump gjithashtu akuzohet se ka kushtëzuar një ndihmë financiare të SHBA-së për Ukrainën, në këmbim të hetimeve të kërkuara.

Kjo bisedë telefonike e Trumpit, nga demokratët u vlerësua si kërkesë ndaj një shteti tjetër, për të ndërhyrë në çështjet të brendshme politike të SHBA-së. Sipas demokratëve, kjo përbën abuzim me pushtetin.

Por, demokratët deri më tani nuk kanë pranuar t'i dorëzojnë akuzat në Senat.

Ata duan siguri nga McConnell se dëshmitarët e tyre të zgjedhur - të paktën katër ndihmës të tanishëm dhe të dikurshëm të Shtëpisë së Bardhë me njohuri për çështjen e Ukrainës - do të lejohen të dëshmojnë.

Republikani McConnell akuzoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për mbajtjen e "një pozicioni absurd" lidhur me vonimin e dorëzimit të akuzave, dhe tha se ajo "me sa duket po përpiqet të na tregojë se si ta udhëheqim procesin gjyqësor".

Në bazë të procedurave ligjore, nëse akuzat për shkarkim votohen nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve, atëherë çështja kalon në Senat, ku edhe merret vendimi përfundimtar për shkarkimin ose jo të presidentit amerikan.

Trump i ka mohuar gjitha akuzat.

XS
SM
MD
LG