Ndërlidhjet

Kurti: Në seancë konstituive shkojmë pa marrëveshje për qeverinë


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar se partia e tij dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.

Ai nuk i ka shpallur të përfunduara negociatat për qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK shkojnë pa marrëveshje.

Përmes një video mesazhi të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se LDK-ja e ka refuzuar ofertën e Vetëvendosjes, e cila i ofronte LDK-së pozitën e kryetarit të Kuvendit, një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri në qeveri.

“Është obligimi im moral dhe politik, shtetëror dhe kombëtar, qytetar dhe njerëzor, që t’ju njoftoj se në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë, do të shkojmë pa pajtimin për qeverinë. Marrëveshjes për programin qeverisës, nuk kemi mundur t’ia bashkëngjitim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive. Oferta ime e parmbrëmshme, pra, e datës së 23 dhjetor 2019, u refuzua dje”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Bashkimi problematik i ministrive

Një listë çështjesh të papërfunduara e presin qeverinë e re

Kurse në rast se insistohet që LDK ta ketë edhe pozitën e presidentit, Kurti tha se i ka ofruar LDK-së që ta caktojnë një kandidat konsensual, jo partiak.

"Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo, nëse LDK-ja insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së për kandidatin për president, bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij/saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosjes”, ka deklaruar kryetari i VV-së.

A po presin LVV dhe LDK ndërmjetësim ndërkombëtar për koalicion?

Ndërkohë ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Facebook se negociatat nuk kanë dështuar.

"Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t'ia hedhur fajin LDK-së", ka thënë mes tjerash ai.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është caktuar për datën, 26 dhjetor. Nëse arrihet konstituimi i këtij institucioni, neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.

E në rast se Kuvendi nuk konstituohet, atëherë LVV dhe LDK do të kenë një afat të pacaktuar që të arrijnë marrëveshje. Në rast dështimi, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Sherret virtuale mes LVV-së dhe LDK-së
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:31 0:00

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 6 tetor në Kosovë. Në këtë proces zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet janë organizuar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, i cili ka marrë këtë vendim si pasojë e ftesës për dëshmi që i është bërë nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

XS
SM
MD
LG