Ndërlidhjet

Kurti thotë se formimi i qeverisë varet nga LDK-ja


Kryetari i Lëvizjes Vetvëvendosje, Albin Kurti

Kandidati për kryeministër të Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetvëvendosje, Albin Kurti, duke iu referuar vonesave për formimin e qeverisë më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, tha se datën nuk e përcakton presidenti i vendit, por ajo varet nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Albin Kurti ditë më parë kishte refuzuar dy ftesa të presidentit të Kosovës Hashim Thaci, për takim konsultativ rreth krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

Dy ftesat e Thaçit që nuk e çuan Kurtin në Presidencë

Kurti theksoi se konsultimet me LDK-në do të vazhdojnë të intensifikohen dhe pritet që qeveria të formohet në janar.

“Presidenti e ka përcaktuar datën e seancës konstituive për 26 dhjetor kur ne ishim aty dhe në kohë rekord e konstituam Kuvendin. Presidenti përcakton datën e konstituimin të kuvendit dhe jo formimit qeverisë. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Takimet do të ndodhin dhe do të ketë konsultime. Ndërkohë po i intensifikojmë bisedimet”.

Ai tha para gazetarëve se Lëvizja Vetëvendosje i ka ofruar LDK-së poste të rëndësishme të cilat janë refuzuar nga ta.

“Në janar kemi përpara arritjen e marrëveshjes me LDK-në. 80 ditë nuk mjaftuan për ta arritur marrëveshjen që kërkohej sepse kishte kërkesa përtej mandatit. Ne kemi marrë mesazh të qartë në zgjedhje, që opozita e djeshme të jetë pozita e ardhshme. Ne si lëvizje jemi munduar të reflektojmë në këtë mesazh. Ne kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetarët na ofruan neve. E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua”, ka thënë Kurti para mediave.

Lideri i LVV-së tha se nuk ka kohë për të humbur dhe se qeveria duhet të formohet sa më shpejtë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës para konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më 26 dhjetor. Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

XS
SM
MD
LG