Ndërlidhjet

Thaçi fton për herë të tretë Kurtin në takim konsultativ


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sërish në takim konsultativ liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në letrën të cilën e kanë publikuar mediat në Kosovë, presidenti Thaçi thotë se “me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për kryeministër për formimin e Qeverisë së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsultativ më datën 31 dhjetor 2019 në ora 10”.

Por, Kurti e ka refuzuar këtë takim duke propozuar datën 6 janar për zhvillimin e një takimi të mundshëm konsultativ me presidentin. Kjo është bërë e ditur, përmes një postimi të Lëvizjes Vetëvendosje në rrjetin social Facebook, në të cilin është publikuar letra që Kurti e ka dërguar në adresë të presidentit.

Më 27 dhjetor, Thaçi i kishte nisur dy ftesa Kurtit për takim konsultativ, por ky i fundit nuk u paraqit në Zyrën e Presidentit. Në lidhje me ftesën e parë, në Lëvizjen Vetëvendosjen thanë se Kurti nuk ndodhej në Prishtinë, kurse pas ftesës së dytë, ishte vet Kurti ai i cili tha se çështja nuk ishte aq urgjente që agjenda ditore të caktohej aty për aty.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen.

Por, më 29 dhjetor, lideri i VV-së, Albin Kurti tha se datën për formimin e qeverisë nuk e përcakton presidenti i vendit, por ajo varet nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Presidenti përcakton datën e konstituimin të kuvendit dhe jo formimit qeverisë. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Takimet do të ndodhin dhe do të ketë konsultime. Ndërkohë po i intensifikojmë bisedimet”, ka thënë Kurti

Të dyja partitë edhe pas shumë negociatave nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Mirëpo pas deklarimeve të Kurtit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se LDK-ja nuk cakton data për formimin e qeverisë.

“Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhje, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë”, ka shkruar Mustafa.

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se pas emërimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha marrëveshjet paraprake do të dështojnë.

Ata kanë paralajmëruar mundësinë për marrëveshje të re lidhur me përgjegjësitë, si dhe për programin qeverisës, por edhe mundësinë që LDK-ja të kalojë në opozitë.

Më 26 dhjetor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është zgjedhur në këtë pozitë në seancën konstituive me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime.​

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

XS
SM
MD
LG