Ndërlidhjet

Thaçi: Do e pres Kurtin më 6 janar


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do ta presë në zyrën e tij më 6 janar, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të biseduar për mandatarin për kryeministër.

Kurti ka refuzuar tri ftesat e dërguara nga Thaçi derisa më 30 dhjetor e njoftoi presidentin se të dy mund të takohen më 6 janar për të biseduar për mandatarin.

"Unë mirëpres faktin që pas ftesës së tretë ka pranuar dhe i është përgjigjur ftesës sime. Kështu që ditën që është menduar nga zoti Kurti, në ora 15:00 do ta pres në zyrën time", tha Thaçi gjatë konferencës së fundvitit me gazetarë.

Presidenti Thaçi foli edhe për përbërjen e re të Qeverisë së ardhshme të Kosovës, duke thënë se i takon partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, që të zgjedhë partnerin qeverisës dhe sipas tij, nuk i takon askujt, “të interferojë” në këtë proces, qoftë nga spektri politik vendor apo përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke shtuar se është mirë që të “mos humbet kohë” me formimin e institucioneve të reja.

Ndërkaq, i pyetur për diskutimet që Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për postin e presidentit, Thaçi tha se mirëpret çdo marrëveshje që partitë do të arrijnë në këtë drejtim.

"Partia fituese është ajo që përcakton partnerin. Kemi një realitet tjetër në Kosovë. Çdo marrëveshje që arrihet në mes të spektrit politik në Kosovë unë e mirëpres dhe e përshëndes. Është në interes që të mos humbet kohë. Çdo marrëveshje, edhe për president, që e bën spektri politik unë vetëm do ta duartrokas", ka deklaruar Thaçi.

Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarë, Thaçi ka thënë se shumë shpejt do të ndodhë heqja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, duke pretenduar se ky veprim është vullnet dhe ëndërr e popullit të të dyja vendeve.

"Unë e ftoj kryeministrin, mikun tim, Edi Rama, që të caktojë ditën dhe datën e heqjes së kufirit dhe çdo barriere kufitare mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, pa pritur fare opinionet e asnjërit vend fqinj. Ne jemi jemi sovranë, ne jemi të pavarur”, ka deklaruar presidenti i Kosovës.

Presidenti Thaçi foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se viti 2019 ishte plot me sfida, mirëpo ka thënë se shpreson që gjatë vitit 2020 do të zhbllokohet rrethana e krijuar, “dhe do të kemi nisjen e një procesi të ri të dialogut”.

Teksa ka folur për dialogun, Thaçi ka përmendur edhe emërimin e Richard Grenellit, si të dërguar të Shtëpisë së Bardhë në negociatat mes këtyre dy shteteve, duke konsideruar se ky veprim “rrit shpresën për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, paqësore, mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sa i përket liberalizimit të vizave, presidenti i Kosovës, tha se ka qenë “gabim historik” i Bashkimit Evropian që nuk ka hequr regjimin e vizave për kosovarët, pasi sipas tij, Prishtina zyrtare ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

XS
SM
MD
LG