Ndërlidhjet

Parlamenti i Libisë voton kundër marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak me Turqinë


Tripoli. Fotografi ilustruese.

Parlamenti i Libisë në mënyrë unanime ka votuar kundër marrëveshjeve për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe atij detar me Turqinë, vetëm pak ditë pasi ligjvënësit turq miratuan dërgimin e trupave në Libi.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Fayez Serraj, kryetari i Qeverisë libiane në Tripoli, që mbështetet nga Kombet e Bashkuara, nënshkruan marrëveshjet gjatë një takimi në Stamboll në muajin nëntor.

Por, parlamenti, që mbështetë administratën tjetër që gjendet në lindje të Libisë, refuzoi marrëveshjet për bashkëpunimin ushtarak dhe detar.

Parlamenti i Libisë po ashtu në mënyrë unanime votoi për ndërprerjen e marrëdhënieve me Turqinë dhe thanë se Serraj ka kryer “tradhti” ndaj vendit, pasi sipas kryeparlamentarit Abdullah Bleihaq, ai ka kërkuar ndihmë ushtarake nga një vend i huaj, raporton Dpa.

Ditë më parë, Parlamenti i Turqisë miratoi një mocion, që lejojë intervenimin ushtarak në Libi, duke miratuar dërgimin e trupave në këtë shtet, që është në një luftë civile.

Ende nuk është e qartë nëse administrata e Serraj do të respektojë këtë vendim të Parlamentit libian.

Në Libi po zhvillohet konflikt i armatosur që prej se më 2011 u rrëzua nga pushteti dhe më pas u vra diktatori Moamer Gaddafi.

Në këtë shtet janë dy qeveri, ajo e Serraj, që njihet ndërkombëtarisht dhe qeveria në lindje të vendit, që udhëhiqet nga komandanti Khalifa Haftar.

XS
SM
MD
LG