Ndërlidhjet

SHBA-ja paralajmëron për sulme të mundshme kibernetike nga Irani


Ilustrim.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka lëshuar një buletin këshillues kombëtar të terrorizmit, ku paralajmërojë për sulme të mundshme kibernetike nga Irani, pas sulmit me dron të SHBA-së, ku u vra një gjeneral iranian.

“Irani ka një program të fortë kibernetik dhe mund të kryejë sulme kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara”, thuhet në këtë buletin.

Shtetet e Bashkuara po përgatiten për veprime të mundshme hakmarrëse nga Teherani, pas sulmit të 3 janarit, ku u vra Qasem Soleimani, që udhëhiqte forcat elite iraniane, Quds, një krah i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Forcat Quds nga Shtetet e Bashkuara konsiderohen organizatë e huaj terroriste.

Në buletinin e Departamentit për Siguri Kombëtare theksohet se forcat amerikane “kanë kryer një sulm vdekjeprurës ku kanë vrarë komandantin e forcave Quds, Qasem Soleimani, teksa ai ishte në Irak".

“Udhëheqësia iraniane dhe disa organizata ekstremiste publikisht kanë deklaruar se synojnë të hakmerren kundër Shteteve të Bashkuara”, thuhet në buletin.

“Irani është i aftë, që minimumi të kryejë sulme me efekte të përkohshme shkatërruese kundër infrastrukturës kritike të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në buletinin e Departamentit për Siguri Kombëtare.

Vetëm disa orë pas këtij paralajmërimi, një grup i hakerëve, që pretendoi se janë nga Irani, hyn në ueb-faqen e një agjencie qeveritare të SHBA-së dhe postuan mesazhe ku zotoheshin se do të hakmerren për vrasjen e gjeneralit Soleimani.

Ueb-faqja e Programit të Bibliotekës së Thesarit Federal u zëvendësua me një faqe të titulluar “Hakerët iranianë”, ku u vendos edhe fotografia e liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, së bashku me flamurin iranian.

Qeveria amerikane nuk ka komentuar lidhur me këtë sulm kibernetik.

XS
SM
MD
LG