Ndërlidhjet

Në Iran mbahen homazhe për gjeneralin e vrarë


Portreti i gjeneralit të vrarë iranian, Qasem Soleimani, është vendosur në Teheran.

Dhjetëra mijëra persona janë mbledhur në qytetin iranian Ahvaz për të nderuar Qasem Soleimanin, komandantin e forcave elite Quds, që u vra nga sulmi me dron i Shteteve të Bashkuara.

Televizioni shtetëror iranian ka publikuar pamje të ceremonive, ku shihen mijëra persona që bëjnë homazhe për Soleimani, trupi i pajetë i të cilit ka arritur nga Iraku në Iran.

Irani ka shpallur tri ditë zie dhe trupi i pajetë i Soleimanit është dërguar në qytetin e shenjtë të Mashad dhe në Teheran, para se të varroset në qytetin e tij të lindjes Kerman, më 7 janar.

Si lider i forcave Quds, 62-vjeçari Soleimani kishte ndihmuar në orkestrimin e operacioneve ushtarake dhe klandestine të Teheranit jashtë vendit.

Forcat Quds, një krah i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, nga Shtetet e Bashkuara njihen si organizatë e huaj terroriste.

Soleimani u vra në sulmin ajror të SHBA-së, teksa po udhëtonte me një konvoj, jashtë aeroportit të Bagdadit më 3 janar. Vrasja e tij rriti edhe më shumë tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.

Abu Mahdi al-Muhandis, zëvendëskomandant i Hashd Shaabi një milicie në Irak që mbështetet nga Irani, po ashtu u vra në këtë sulm.

Iranianët po ashtu kanë marshuar më herët në rrugët e Bagdadit për shkak të vrasjes së Soleimanit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump urdhëroi sulmin ndaj Soleimanit, duke thënë se ky gjeneral iranian kishte orkestruar sulmet ndaj caqeve amerikane dhe se po planifikohet edhe veprime të tjera terroriste.

Irani ka premtuar se do të hakmerret për vrasjen e Soleimanit, që ishte njëri prej njerëzve më të fuqishëm të ushtrisë së Iranit.

XS
SM
MD
LG