Ndërlidhjet

Netanyahu paralajmëron "goditje të fuqishme" për këdo që e sulmon Izraelin


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyhahu, paralajmëroi se vendi i tij do të godiste fuqishëm këdo që e sulmon atë, pasi përsëriti mbështetjen e tij për vrasjen e komandantit ushtarak iranian, Qasem Soleimani.

"Kushdo që përpiqet të na sulmojë do të marrë goditjen më të fortë", tha Netanyahu në Jeruzalem.

Ai tha se Izraeli "qëndron plotësisht" përkrah vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të vrarë gjeneralin iranian, duke thënë se Trump duhet të urohet për veprimin e marrë me "me shpejtësi, guxim dhe vendosmëri".

Reagimi i Netanyahut bëhet pas sulmit në dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak nga ana e Iranit.

Televizioni shtetëror iranian tha se sulmi është ndërmarrë, si hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit të lartë të vendit, Qasem Soleimanit.

Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara përmes sulmeve ajrore vranë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani.

Uashingtoni e ka fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe e ka akuzuar atë për komplot për sulme të reja pak para vrasjes së tij, javën e kaluar pranë aeroportit të Bagdadit.

Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.

Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar si "terrorist".

XS
SM
MD
LG