Ndërlidhjet

Kurti publikon propozimin e ri për LDK-në: Shtohet numri i ministrive


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bëri publik "propozimin përfundimtar" që kjo parti ia ka ofruar Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Kurti tha se propozimi dërguar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, del nga takimi i tyre i fundit, i mbajtur më 9 janar.

Vetëvendosje, e cila ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, dhe LDK-ja, si partia e dytë, janë duke zhvilluar negociata për krijimin e koalicionit që nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, në fund të nëntorit.

Në tryezën e bisedimeve të tyre ka pasur vazhdimisht kërkesa dhe propozime të reja.

Propozimi i fundit, i publikuar nga Kurti, thotë se numri i ministrive në qeveri do të shtohet nga 12 në 14 sosh.

"Lëvizja Vetëvendosje i ka 5 ministri, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK-në vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka Vetëvendosje. Tri ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë VV-së", thuhet në ofertë.

Sipas së njëjtës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia t'i bashkëngjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave, ndërsa ministria e tretë është ajo për Komunitete, thuhet po ashtu në ofertë.

Si pikë e fundit, në ofertë përmendet bërja e një formulimi të përbashkët për çështjen e presidentit të Republikës së Kosovës "bazuar në draftin fillestar nga LDK-ja".

"Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës", tha Kurti në propozimin me shkrim drejtuar kryetarit të LDK-së, Mustafa.

Më shumë në këtë temë:

XS
SM
MD
LG