Ndërlidhjet

Trump dhe Erdogan diskutojnë për Iranin, Sirinë dhe Libinë

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai turk Recep Tayyip Erdogan gjatë një konference për media më 13 nëntor 2019.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai turk Recep Tayyip Erdogan gjatë një konference për media më 13 nëntor 2019.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, diskutuan për Iranin, Sirinë dhe Libinë gjatë një bisede telefonike.

Të dyja vendet e konfirmuan bisedën, përmes komunikatave të ndara, mirëpo nuk dhanë më shumë hollësi.

Tensionet po rriten midis Perëndimit dhe Teheranit, pasi Irani pranoi se forcat e saj "pa dashje" qëlluan një aeroplan ukrainas më 8 janar, duke ngjallur zemërim anembanë botës, përfshirë mijëra iranianë që dolën në rrugë për të protestuar.

Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka planifikuar një takim me udhëheqësit e Turqisë, Rusisë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës, Francës dhe Italisë, më 19 janar, për të diskutuar mbi konfliktin e armatosur në Libi.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjithashtu ka thënë se do të marrë pjesë në takim.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fillim të janarit, tha se trupat turke kanë nisur të vendosen në Libi, pasi Parlamenti turk e miratoi një masë të tillë.

Erdogan tha se mision i tyre do të jetë sigurimi i stabilitetit për Qeverinë në Tripoli, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

Kjo qeveri po lufton një kryengritje të forcave rebele, të udhëhequra nga gjenerali Khalifa Haftar, me bazë në lindje të Libisë.

Haftar mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Qeveria në Tripoli e ka mbështetjen e Turqisë dhe të aleates së saj, Katarit.

Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë kundërshtuar ndërhyrjen e Turqisë në Libi.

XS
SM
MD
LG