Ndërlidhjet

Mishustin nuk u zgjodh rastësisht nga Putini për kryeministër


Kryeministri i ri i Rusisë, Mikhail Mishustin, ka reputacionin e njeriut që i çon gjërat deri në fund.

Përgjatë qëndrimit të tij afro një dekadë në krye të shërbimit tatimor të Rusisë, me një ushtri prej afro 150,000 punëtorësh, të cilët mbikëqyrin pagesat e taksave, Mishustin ka trefishuar shumën e të hollave që kjo agjenci kontribuon në buxhet.

Teksa Rusia përballet me rritje të ngadalshme ekonomike për shkak të sanksioneve dhe uljes së çmimit të naftës, rezultatet e mira e kanë shpërblyer Mishustinin, prandaj qeveria e ka zëvendësuar atë në vend të Dmitry Medvedevit, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 15 janar.

Qeveria e Medvedevit me vështirësi ka tentuar të realizojë ambiciet e presidentit rus, Vladimir Putin, sidomos ato për projekte kombëtare në vlerë të 400 miliardë dollarëve. Kjo qeveri po ashtu ka dështuar të përmbushë premtimin e Putinit të dhënë në maj të vitit 2018 për rritje të pagave për disa nivele të punëtorëve shtetërorë.

“Pas disa vjetëve të fokusimit në sigurime, duke përfshirë rrezikun në sanksionet e ardhshme, autoritetet ruse duhet të fokusohen në çështje të brendshme siç është ofrimi më i mirë i shërbimeve publike”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, ekonomistja, Elina Ribakova, që mbikëqyr Rusinë në Institutin Ndërkombëtar të Financave.

“Ekziston nevoja e një menaxheri efektiv që do të sigurohet se projektet kombëtare realizohen dhe përmbushen objektivat”.

Megjithatë, Mishustin, të cilin televizioni shtetëror rus e ka quajtur “forcë speciale e politikës financiare qeveritare”, një referencë për fuqitë e tij në fushën e taksave, mund të jetë një zgjedhje ideale për të mbajtur nën kontroll fraksionet brenda elitës.

Njoftimi i Putinit më 15 janar për ndryshime kushtetuese ka rezultuar me dorëheqjen e Medvedevit, ndonëse analistët këtë vendim e përshkruajnë si “shkarkim” nga Putini.

Këto zhvillime pritet të ndajnë fituesit dhe humbësit brenda elitës.

“E gjithë ajo çfarë kemi parë më 15 janar, na tregon se marrëdhënia me popullin nuk është shqetësimi kryesor i Rusisë. Asaj më shumë i intereson mbajtja e elitës në linjë të kontrollit”, ka thënë Sam Greene, drejtor i Institutit për Rusinë në Kolegjin King të Londrës.

“Andaj një person, i cili është zbatues i ligjit dhe vjen nga sfondi i tatimeve, ku kanë dijeni ku varrosen trupat, është më i dobishëm për ta pasur afër”, ka thënë Greene.

Ndyshimi i kryeministrit për herë të tretë

Putin ka synuar të promovojë ndjenjën e stabilitetit qeveritar gjatë 20 vjetëve në pushtet, duke ndryshuar qeveritë në mes të mandatit vetëm dy herë tjera.

Putin pati shkarkuar Mikhail Kasyanov në shkurt të vitit 2004 pak para rizgjedhjes, duke e zëvendësuar atë me Mikhail Fradkov, një burokrat.

Fradkov “ka dhënë doëheqje” më 2007, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale, dhe vendin e tij e ka zënë, Viktor Zubkov.

Të dy, si Fradkov, ashtu edhe Zubkov kanë punuar për shërbimin kombëtar të taksave. Fradkov një kohë ka udhëhequr agjencinë policore të taksave, një agjenci, e cila te shumë persona ngjall frikë.

Zubkov ka qenë përgjegjës në këtë agjenci në rajonin verior, dhe më vonë ka drejtuar agjencinë në luftimin e pastrimit të parave.

Greene ka thënë se e kaluara e njëjtë e Mishustinit, Fradkovit, and Zubkovit nuk është e rastësishme.

Mishustin ka të përbashkët edhe diçka tjetër me këta dy burra, thonë analistët. Ai është person që nuk ka ambicie politike dhe, i cili pavarësisht pozitës së tij të fuqishme, nuk konsiderohet pasardhës i Putinit kur këtij të fundit t’i përfundojë mandati më 2024.

“Mishustin nuk ka përvojë politike apo famë tek elektorati dhe nuk është pjesë e rrethit të ngushtë të Putinit”, ka thënë analistja politike, Tatiana Stanovaya.

“Ai është aty vetëm sa për të qenë”, ka thënë ajo.

Përbërja e kabinetit të Mushustinit nuk pritet të ndryshojë shumë nga ai i Medvedevit, pasi ministrat e njëjtë pritet të jenë në fushën e ekonomisë dhe financave.

Njeri i taksave digjitale

Rusia ka hasur në vështirësi, sidomos në vitet 1990 për të luftuar evazionin e përhapur fiskal, krim të cilin një analist e ka cilësuar “burim të krenarisë” në mesin e kompanive dhe qytetarëve rusë.

Rusët dhe kompanitë e pasura në këtë vend dërgojnë të hollat në banka të dyshimta jashtë shtetit për t’iu ikur taksave.

Një pjesë e madhe e ekonomisë ka qenë në hije, pasi Rusia ka humbur 16.2 miliadë dollarë në vit nga tatimet, pati thënë ish-drejtori i Bankës Qendrore, Sergei Ignatyev më 2013.

Mirëpo Mishustin, 53-vjeçar ka vënë në funksion së fundmi teknologjinë e fjalës së fundit për të penguar evazionin fiskal.

Ndërtesa e shërbimeve për taksa në Moskë, dikur zonë ushtarake, tani është e mbushur me serverë të të dhënave dhe specialistë të teknologjisë informative.

Më 2018 kjo agjenci ka mbledhur 345 miliardë dollarë taksa, apo tre herë më shumë sesa kur Mishustin ka nisur udhëheqësinë më 2010, transmeton agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Mishustin i ka thënë Putinit në nëntor, gjatë një takimi në Kremlin, se vlera e taksave më 2019 është 8 për qind më e madhe, në krahasim me vitin paraprak.

Rritja e fitimit nga taksat ka ndikuar në aktivitetin ekonomik në dekadën e fundit, duke i ndihmuar qeverisë të mbyllë vrimat problematike, pasi ekonomia është dobësuar si pasojë e sanksioneve.

Alexis Rodzianko, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Moskë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bilanci i taksave ka qenë kryesisht e mirë gjatë udhëheqësisë së Mishustinit.

“Efikasiteti i mbledhjes së taksave është rritur dhe profesionalizmi po ashtu. Përvoja jonë është pozitive. Në gjysmën e kaluar të vitit, kualiteti i dialogut ka qenë i mirë dhe konstruktiv”.

Agjencia e Mishustinit ka prezantuar një faqe online për individë dhe kompani, duke thjeshtësuar deklarimin e taksave.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG