Ndërlidhjet

Kanadaja kërkon nga Irani të kompensojë familjarët e viktimave të avionit të rrëzuar


Kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se qeveria e tij do të ndajë fonde për familjarët e 57 shtetasve kanadezë dhe 29 banorëve me qëndrim të përhershëm në vendin e tij, që humbën jetën në aeroplanin që u rrëzua në Iran javën e kaluar.

Trudeau tha se Kanada do të ofrojë 19,122 dollarë për familjarët e viktimave dhe shtoi se ende pret që Irani të kompensojë familjet e viktimave.

Ai tha se këto mjete do të ndihmojë familjarët të mbulojnë shpenzimet për funeralet, udhëtimet për në Iran dhe shpenzime të tjera.

Fondet e tjera që do të mund të ofroheshin nga Teherani do të shkojnë direkt për familjarët e viktimave, shtoi kryeministri kanadez.

“Dua të jem i qartë, ne presim që Irani të kompensojë familjarët e viktimave. Por, unë i kam takuar ata. Ata nuk mund të presin për javë të tëra, ata kanë nevojë tani për mbështetje”, tha Trudeau.

Pasi fillimisht kishte mohuar përgjegjësinë, Irani pranoi se ushtria “pa dashje” kishte rrëzuar avionin ukrainas më 8 janar, pasi ishte nisur nga aeroporti në Teheran, duke vrarë 176 personat që gjendeshin në bord.

Trudeau tha se rrëzimi i avionit ishte “tragjedi kanadeze” sepse 138 pasagjerët ishin nisur drejt Kanadasë.

Përveç shtetasve kanadezë, në mesin e viktimave ka edhe shtetas të Iranit, Afganistanit, Ukrainës, Suedisë, Britanisë dhe Gjermanisë.

Trudeau tha se “kutitë e zeza” të avionit të rrëzuar janë të dëmtuara dhe i bëri thirrje Teheranit që t’ia dorëzojë Francës me qëllim që të bëhen hetime.

XS
SM
MD
LG