Ndërlidhjet

Koreja e V. "nuk do ta mbajë më të pezulluar" programin bërthamor


Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Koreja e Veriut tha se nuk është më e detyruar të mbajë të pezulluar programin e armëve dhe raketave bërthamore dhe i fajësoi Shtetet e Bashkuara për mosheqjen e sanksioneve kundër Phenjanit.

Ju Yong Chol, këshilltar në misionin e Koresë së Veriut në Gjenevë, tha se është bërë e qartë se "Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojnë ambicien për ta bllokuar zhvillimin e Koresë së Veriut dhe për ta ngufatur sistemin e saj politik".

"Ne nuk kemi arsye të angazhohemi për diçka që pala tjetër nuk e respekton", tha Ju.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka vënë fundin e vitit 2019 si afat për heqjen e sanksioneve që lidhen me programin bërthamor të Phenjanit dhe ka thënë se vetëm atëherë mund të zhvillojë bisedime me SHBA-në për çarmatosjen bërthamore.

Ju tha se vendi i tij i ka pezulluar testet bërthamore dhe ato me raketa balistike "për të krijuar besim te SHBA-ja".

Por, shtoi ai, Uashingtoni është përgjigjur duke kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut dhe duke i vazhduar sanksionet.

"Nëse SHBA-ja këmbëngul në politikë të tillë armiqësore kundër Koresë së Veriut, atëherë nuk do të ketë kurrë denuklearizim të Gadishullit Korean", tha Ju.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka vlerësuar miqësinë e tij me Kimin dhe të dy udhëheqësit kanë bërë deklarata publike për suksesin e bisedimeve të tyre dypalëshe rreth denuklearizimit.

Megjithatë, përparimi ka qenë i vogël, pasi Uashingtoni ka kërkuar që Phenjani të heqë dorë nga armët bërthamore përpara se t'i hiqen sanksionet.

Koreja e Veriut kërkon që sanksionet të hiqen së pari.

XS
SM
MD
LG