Ndërlidhjet

Demokratët u bëjnë thirrje republikanëve të mbështesin shkarkimin e Trumpit


Adam Schiff.
Adam Schiff.

Demokratët nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së u kërkuan senatorëve republikanë, që t'i ndihmojnë ata në "mbrojtjen e demokracisë" duke u bashkuar në përpjekjet e tyre për ta shpallur fajtor presidentin, Donald Trump, dhe për ta hequr atë nga detyra.

Demokrati, Adam Schiff, filloi rundin maratonë të deklaratave në kuadër të gjyqit për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, që po zhvillohet në Senat.

Në fjalën e tij ai nënvizoi atë që partia e tij e përshkruan një "skemë korruptive" e Trumpit për të abuzuar me pushtetin e tij presidencial dhe për të penguar Kongresin në hetimin e veprimeve të tij.

Ai u bëri thirrje senatorëve të mos jenë "cinikë" për politikën dhe përkundrazi të respektojnë themeluesit e kombit, që siguruan mundësinë e mbajtjes së procesit të shkarkimit.

"Gjatë ditëve të ardhshme, ne do t'ju paraqesim juve dhe popullit amerikan provat e gjera të mbledhura gjatë hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve për abuzimin me pushtetin nga ana e presidentit", tha Schiff në seancën e Senatit.

Schiff udhëheq me ata që quhen “menaxher” të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët në fakt luajnë rolin e prokurorëve, gjatë gjykimit të Trumpit.

Demokratët kanë akuzuar republikanët se po bllokojnë provat dhe dëshmitarët në procesin e gjykimit.

Në bazë të rregullave të miratuara në Senat të dyja palëve u është lejuar të paraqesin deklaratat e tyre hyrëse. Secila palë ka nga tre ditë për të paraqitur qëndrimet.

Trump u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve për abuzimi me pushtetin dhe pengim të punës së Kongresit.

Por, ai i mohon akuzat.

Akuzat e abuzimit kanë të bëjnë me pretendimet, se presidenti bëri presion të padrejtë ndaj Ukrainës, për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden, duke pezulluar një ndihmë ushtarake, derisa Kijevi të njoftojë publikisht për një hetim të tillë.

"Presidenti Trump kërkoi ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona demokratike, duke abuzuar me detyrën si dhe duke kërkuar ndihmë jashtë vendit për të përmirësuar mundësitë e tij të rizgjedhjes", tha Schiff.

Ndërsa foli Schiff, avokatët e Trumpit prisnin radhën e tyre për të paraqitur argumentet.

Më herët, presidenti Trump u tha gazetarëve se ai dëshironte që të ishte në gjyq, për t'u përballur me demokratët, dhe të “shikojë fytyrat e tyre të korruptuara".

XS
SM
MD
LG