Ndërlidhjet

Përfundon takimi për hekurudhat midis Kosovës dhe Serbisë


Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.
Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë u takuan të hënën në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Berlin me ambasadorin Richard Grenell, i dërguar i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

Zyrtarët biseduan për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Zyrtari për media i Grenellit, Dick Custin, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se takimi ka përfunduar, porse, tash për tash, nuk ka informacione shtesë.

Arritjen e marrëveshjes për rikthimin e trafikut hekurudhor midis Kosovës dhe Serbisë e konfirmuan të premten Grenell dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Grenell bisedoi për këtë çështje edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me udhëheqësit e Lëvzjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës - parti këto që po bëjnë përpjekje për formimin e koalicionit qeveritar në Kosovë.

Bazuar në vendimin e ministrit në largim të Infrastrukturës në Kosovë, Pal Lekaj, pala kosovare në Berlin përfaqësohet nga Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit dhe Infrastrukturës tokësore, dhe Ramë Çupeva, drejtor i infrastrukturës rrugore.

Palën serbe, ndërkaq, e udhëheq Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

"Ndonëse institucionet tona janë të gatshme në vazhdimësi për kontribut në stabilitet dhe fqinjësi të mirë, theksojmë se çfarëdo marrëveshjeje që do të arrihet, do të jetë vetëm sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës", shkroi Lekaj në Facebook.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, u tha gazetarëve të hënën se infrastruktura hekurudhore e Kosovës është shumë e dobët dhe pothuajse jofunksionale.

"Hekurudhat tona që na lidhin me Serbinë, janë në gjendje shumë të keqe. Jemi në proces rinovimi. Është një projekt i madh me Bashkimin Evropian. Një marrëveshje me Serbinë për trafikun nuk do ta dëmtojë Kosovën ", tha Haradinaj.

Marrëveshja për trafikun hekurudhor erdhi në javën e njëjtë kur dy palët, po ashtu nën ndërmjetësimin e Grenellit, ranë dakord për një fluturim të drejtpërdrejtë midis Prishtinës dhe Beogradit.

XS
SM
MD
LG