Ndërlidhjet

Një polic i vdekur dhe dy të plagosur gjatë një operacioni në Zhur të Prizrenit


Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka humbur jetën, ndërkaq dy të tjerë janë plagosur gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit, kanë konfirmuar organet e rendit.

“Policia ka zhvilluar një aksion në fshatin Zhur në Prizren, për parandalimin e narkotikëve. Njësia e specializuar kur ka arritur në lokacion gjatë kontrollit të shtëpisë ka pasur një eksploziv që për fat të keq një koleg i yni vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa dy kolegë përjetuan lëndime nga shpërthimi”, ka deklaruar Shaban Osmanollaj nga policia rajonale e Prizrenit.

“Gjithashtu edhe një fëmijë i të dyshuarit është plagosur”, tha ai, duke shtuar se i njëjti kishte marrë lëndime të lehta trupore.

“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndalur për 48 orë”, ka thënë Osmanollaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar ne Facebook se e kishte përjetuar me dhimbje të thellë lajmin për rënien në krye të detyrës të policit, me emrin, Sami Thaqi.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook duke shkruar se ndihej I tronditur me këtë rast.

“I tronditur me lajmin për humbjen e jetës së një pjesëtari të Policisë së Kosovës, plagosjen e dy të tjerëve dhe një fëmije nga një shpërthim i një mjeti eksploziv në Zhur të Prizrenit”, ka shkruar Haradinaj.

Dy policët e plagosur, sipas njoftimeve nga Policia e Kosovës, ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

XS
SM
MD
LG