Ndërlidhjet

Erdogan kritikon "tradhtinë arabe" për planin e Trumpit


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar disa shtete arabe për mbështetje të planit për paqe në Lindjen e Mesme, të prezantuar këtë javë nga Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë veprim si “tradhti”.

“Disa shtete arabe që kanë mbështetur këtë plan kanë kryer tradhti kundër Jerusalemit, dhe vetë njerëzve të tyre, por çfarë është më e rëndësishme kundër gjithë njerëzimit”, u ka thënë Erdogan pjesëtarëve të partisë së tij në Ankara.

Erdogan, një mbrojtës i madh i të drejtave të palestinezëve u është referuar, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Omanit kur ka bërë këto kritika.

“Arabia Saudite, ju në veçanti jeni e heshtur. Kur do të thyeni heshtjen?” ka pyetur ai.

“Turp ju qoftë! Turp ju qoftë! Këto duar që duartrokasin planin, si do të japin përgjegjësi për këtë tradhti?”, ka deklaruar mes tjerash ai.

Të martën presidenti amerikan, Donald Trump ka prezantuar detajet e planit për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Në njoftimin e tij, Trump ka thënë se Jerusalemi do të mbetet “kryeqytet i pandarë” i Izraelit, mirëpo ka parashikuar zgjidhje me dy shtete.

Palestinezët në anën tjetër pretendojnë që Jerusalemin Lindor ta shpallin kryeqytet të shtetit të tyre në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG