Ndërlidhjet

Senati amerikan pritet ta shfajësojë Trumpin


Ndërtesa e Senatit amerikan.
Ndërtesa e Senatit amerikan.

Teksa presidenti amerikan, Donald Trump ka përmendur arritjet e tij në ekonomi gjatë udhëheqësisë në fjalimin vjetor drejtuar kombit, ai ka anashkaluar temën e gjyqit kundër tij që po zhvillohet në Senat.

Republikanët, parti së cilës i takon Trumpi, drejtojnë Senatin, i cili më 5 shkurt pritet ta shfajësojë presidentin për akuzat e abuzimit të pushtetit dhe pengimit të punës së Kongresit.

Shtatë menaxherët për gjyq të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët kanë rolin e prokurorëve në gjyqin e Senatit, kanë qenë të ulur bashkë me kolegët e tyre duke dëgjuar fjalimin.

Pavarësisht se për gjyqin Trump poston vazhdimisht në rrjetin social, Twitter, duke e konsideruar këtë proces, “mashtrim” dhe ‘gjueti shtrigash”, në fjalim drejtuar kombit, ai nuk ka përmendur asnjëherë atë.

Argumentet përfundimtare janë prezantuar në gjyq më 3 shkurt.

Avokatët e presidentit e kanë cilësuar këtë rast, si të motivuar politikisht kundër Trumpit, derisa demokratët besojnë se ai është fajtor.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë akuzuar Trumpin se ka abuzuar me pushtetin në dhjetor të vitit të kaluar, duke pretenduar se ai ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në këmbim të kryerjes së hetimeve për rivalin e tij politik, Joe Biden.

Trump përballet edhe me akuzën për pengim të punës së Kongresit, pasi nuk ka publikuar dokumente dhe incizimet e kërkuara për dëshmi.

Trump është presidenti i tretë amerikan që përballet me proces për shkarkim.

XS
SM
MD
LG