Ndërlidhjet

Grenell sërish kërkon heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe


Richard Grenell.
Richard Grenell.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, sërish ka bërë thirrje që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Grenell ka theksuar se “është thelbësore që tarifa të hiqet, në mënyrë që të ketë investime”.

Grenell është duke kërkuar nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti që ta heqë tarifën ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur qeveria e kaluar që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Ky vendim, ishte parë më pas si pengesë për vazhdimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte tërhequr nga tavolina e bisedimeve, duke e kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës.

Qeveria e re, ka paralajmëruar zëvendësimin e tarifës me masën e reciprocitetit kundër Serbisë, por ende nuk është sqaruar si do të zbatohet ky vendim.

Megjithatë, ambasadori Grenell, më 10 shkurt, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin.

"Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit", shtoi ai.

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Haki Abazi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës po punon që të tejkalojë çështjet e hapura dhe se sipas tij, vendosja e reciprocitetit “është qasje pragmatike”.

XS
SM
MD
LG