Ndërlidhjet

Prokurorët heqin dorë nga rasti kundër ndihmësit të Trumpit


Roger Stone.
Roger Stone.

Katër prokurorë federalë amerikanë, që kanë qenë pjesë e gjyqit kundër Roger Stone, veteranit të Partisë Republikane dhe këshilltarit të presidentit amerikan, Donald Trump, kanë hequr dorë nga ky rast, pasi Departamenti i Drejtësisë ka marrë vendim të pazakonshëm, duke kërkuar dënim më të vogël sesa kanë rekomanduar ata.

Disa orë pasi Trump është ankuar publikisht, duke thënë se dënimi i rekomanduar nga shtatë në nëntë vjet për Roger Stone ka qenë “i tmerrshëm dhe i padrejtë”, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kanë pezulluar kërkesën.

Katër avokatët, duke përfshirë dy anëtarë që kanë qenë pjesë e ekipit hetues të Këshilltarit Special, Robert Mueller, kanë bërë këto rekomandime më 10 shkurt, pasi kanë siguruar me sukses dënimin e republikanit Stone.

Miku i Trumpit njëherësh këshilltari i tij është gjetur fajtor për gënjim të Kongresit, pengim dhe manipulim të dëshmitarëve.

Megjithatë, në dokumentet e reja të gjykatës, një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë ka thënë se rekomandimi zyrtar nuk do të merret parasysh, meqë ai është “i tepruar dhe i paarsyeshëm”.

Megjithatë, vendimi i Departamentit për të kërkuar dënim më të vogël ka rritur pyetje për ndërhyrjen politike dhe dilemat nëse Trump ka pasur ndikim në drejtësi.

Gjykimi kundër Stone rrjedh nga hetimi i Muellerit, i cili ka treguar në detaje për hakimin rus, përpjekjet për propagandë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe kontaktet në mes të fushatës së Trumpit dhe Moskës.

XS
SM
MD
LG