Ndërlidhjet

OKB-ja miraton rezolutën për armëpushim në Libi


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë duke bërë thirrje për “armëpushim afatgjatë” në Libi, ndonëse Rusia ka abstenuar votimin, pas kundërshtimeve që ka pasur në hartimin e dokumentit.

Rezoluta, që është hartuar nga Britania, është miratuar më 12 shkurt nga 14 pjesëtarë tjerë të Këshillit të Sigurimit, pas disa javëve të debatit.

Aty është theksuar “nevoja për armëpushim afatgjatë në Libi sa më shpejt, pa parakushte” dhe është shprehur “shqetësimi për rritjen e përfshirjes së mercenarëve në Libi”.

Rusia ka kërkuar që termi “mercenarë” të zëvendësohet me “luftëtarë të jashtëm terroristë”.

Moska, e cila mbështet gjeneralin, Khalifa Haftar, është akuzuar nga ekspertët e OKB-së se po u ndihmon kontraktorëve ushtarakë rusë që luftojnë për Ushtrinë Kombëtare të Libisë në krye ne Haftarin.

Përveç Rusisë, gjenerali Haftar gëzon mbështetjen edhe të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Egjiptit.

Rusia ka mohuar zyrtarisht përfshirjen në luftën civile në Libi.

Ky vend është shkatërruar nga dhuna, prej kur udhëheqësi Muammar Gaddafi është larguar nga pushteti dhe më pas është vrarë më 2011.

Rusia mbështet Haftarin për dallim nga OKB-ja që përkrah Qeverinë me bazë në Tripoli.

Kjo qeveri ka afër vetes edhe Turqinë, e cila ka angazhuar ushtarët e saj në këtë shtet.

XS
SM
MD
LG