Ndërlidhjet

SHBA-ja konfirmon përparimin në bisedimet e paqes me talibanët


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë negociuar një propozim-marrëveshje për një ulje shtatë ditore të dhunës në Afganistan.

"Ne kemi thënë se zgjidhja më e mirë, mbase e vetmja për Afganistanin është një marrëveshje politike. Përparim është bërë në këtë front dhe do të kemi më shumë për të treguar së shpejti", u tha Esper gazetarëve, gjatë një konference për media në Bruksel.

Të mëkurën, një diplomat perëndimor dhe zyrtarë të qeverisë afgane, i thanë agjencisë Reuters, se një marrëveshje paqeje mes SHBA-së dhe talibanëve mund të nënshkruhet këtë muaj, nëse talibanët zvogëlojnë ndjeshëm dhunën, e cila mund të çojë në një tërheqje eventuale të trupave amerikane nga Afganistani.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani tha se kishte pasur një përparim në bisedimet mes SHBA-së dhe talibanëve në Katar.

Suhail Shaheen, një zëdhënës i zyrës politike të talibanëve në kryeqytetin e Katarit, Doha, tha se përparimi është bërë, por nuk pranoi të ndajë detaje të tjera.

Doha ka qenë vendi i bisedimeve midis palëve ndërluftuese që nga viti 2018 edhe pse luftimet kanë vazhduar në të gjithë vendin, duke vrarë qindra civilë dhe ushtarë, pasi talibanët kanë zgjeruar kontrollin e tyre territorial.

Në Afganistan gjenden 13.000 trupa amerikane si dhe mijëra të tjerë si personel i NATO-s.

Rreth 18 vjet më parë, një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja pushtoi vendin, pas sulmeve terroriste të grupit militant al-Kaida, më 11 shtator 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG