Ndërlidhjet

Julian Assangit iu ofrua falje nga administrata Trump, thotë avokati i tij


Portret i Julian Assange.

Avokati i Julian Assange, tha se themeluesi i Wikileaks, do të tregojë para gjykatës se atij iu ofrua falje nga administrata e presidentit, Donald Trump, në këmbim të deklarimit publik se Rusia nuk ishte e përfshirë në hakimin e postës elektronike të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Assange, po e kundërshton ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Ai u arrestua vitin e kaluar në Londër me kërkesë të SHBA-së, nën akuzën e spiunimit që datonte nga viti 2010.

Seanca gjyqësore ndaj tij do të zhvillohet javën e ardhshme.

Gjatë një seance dëgjimore paraprake, më 19 shkurt, avokati i Assange, Edward Fitzgerald, tha se në vitin 2017-të, ish-ligjvënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Dana Rohrabacher, e vizitoi Assange, në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Fitzgerald i tha gjyqtarit se një avokat tjetër i Assange, Jennifer Robinson, i ka kujtuar se Rohrabacher kishte thënë se vizitën po e bënte me udhëzime nga presidenti Trump dhe se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme ta falnin Assange, ose të ofronin një mjet tjetër për ta liruar, nëse do të thoshte se Rusia nuk ishte të përfshirë në publikimin e email-ave të demokratëve.

Në vitin 2016, ndërsa Trump dhe demokratja, Hillary Clinton po garonin për presidencën e SHBA-së, WikiLeaks publikoi mijëra email-a nga Komiteti Kombëtar i Demokratëve.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të avokatit, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham tha: "Kjo është absolutisht dhe plotësisht gënjeshtër".

“Presidenti Donald Trump e njeh Dana Rohrabacher vetëm si një ish-kongresist. Ai kurrë nuk ka folur me të në lidhje me këtë temë ose pothuajse asnjë çështje", tha Grisham, duke shtuar se ky është një trillim i plotë dhe një gënjeshtër totale.

“Ky është ndoshta një tjetër mashtrim i DNC (Komitetit Kombëtar të Demokratëve)", tha ajo.

Rohrabacher, në një deklaratë të publikuar në llogarinë e tij në Twitter, tha se ai kurrë nuk ka folur me Trumpin për Assange.

XS
SM
MD
LG