Ndërlidhjet

Xhamajka thotë se s'e ka njohur pavarësinë e Kosovës


Kingstoni, kryeqyteti i Xhamajkës.
Kingstoni, kryeqyteti i Xhamajkës.

Ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina J. Smith, tha se vendi i saj nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një postim në Twitter, Smith shpërndau një deklaratë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e falënderoi Xhamajkën për njohje, por ajo tha se vendi i saj nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën”, shkroi Smith.

Të enjten, Thaçi tha se deri te njohja nga Xhamajka ka ardhur pas një lobimi shumëvjeçar.

"Sapo u njoftova nga ambasadorja jonë (në SHBA) Vlora Çitaku se Xhamajka e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran", shkroi Thaçi në Twitter.

Të premten, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim tha se është njoftuar zyrtarisht të enjten në mbrëmje nga ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës.

"Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e kryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se situata është duke u shqyrtuar dhe se shumë shpejt “do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se ambasadorja Çitaku e ka njoftuar përmes postës elektronike ministrinë e Punëve të Jashtme për njohjen nga Xhamajka.

“Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë”, thuhet në postimin e ministrit Konjufca.

Pavarësinë e Kosovës, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, nuk e ka njohur asnjë shtet që nga viti 2018.

XS
SM
MD
LG