Ndërlidhjet

Hidhen poshtë dyshimet për një rast të koronavirusit në Kosovë


Prishtinë - foto arkivi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se në Kosovë nuk ka njerëz të prekur me koronavirus.

Përmes një komunikate për media, ky institut tha se ka marrë informatë nga Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për një paciente që dyshohej se ishte e prekur me koronavirus, porse pas testimit, ajo ka dalë negative.

Më herët, për këtë rast foli edhe ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, i cili tha se "gjithçka është në fazën e dyshimeve" dhe se "rasti është i izoluar”.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, tha se gjendja e pacientes është e mirë.

Në Kosovë, deri më tani, nuk është shënuar zyrtarisht asnjë rast me koronavirus, ndërsa ka pasur edhe më parë raste të dyshuara, por që pas rezultateve të analizave laboratorike është konstatuar se nuk bëhet fjalë për virusin e ri.

Në epiqendrën e virusit, në Kinë, janë raportuar rreth 77,000 raste të të infektuarve. Rreth 2,600 pacientë kanë vdekur.

Koronavirusi, që është një familje e gjerë virusesh, mendohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës.

Rastet e para atje janë shfaqur në muajin dhjetor.

Koronavirusi shkakton simptome të ngjashme me pneumoninë.

Ende nuk ka një vaksinë për të.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG