Ndërlidhjet

Italia, qendër e shpërndarjes së koronavirusit të ri në Evropë


Ilustrim.

Disa shtete evropiane kanë konfirmuar rastet e para të prekura nga koronavirusi i ri, teksa shumica e tyre duket se janë të lidhura me përhapjen e virusit në Itali.

Austria, Kroacia dhe Zvicra kanë thënë se pacientët e prekur me këtë sëmundje kanë vizituar së fundmi Italinë.

Italia është kthyer në shtetin evropian të prekur më së keqi nga virusi, pasi deri më tani është raportuar për 300 të infektuar dhe 11 persona të vdekur.

Megjithatë, shtetet fqinje kanë thënë se mbyllja e kufijve është “joproporcionale”.

Ministrat e Shëndetësisë në Francë, Gjermani, Itali dhe në Komisionin Evropian janë përkushtuar për të mbajtur dyert e hapura, pavarësisht pse po shtohet numri i personave të prekur në qendër dhe jug të Italisë.

“Ne po flasim për një virus që nuk respekton kufijtë”, ka thënë ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Homologu i tij gjerman, Jens Spahn ka thënë se vendet fqinje janë duke trajtuar situatën “shumë, shumë seriozisht”, dhe ka pranuar se gjendja “mund të përkeqësohet, para se të përmirësohet”.

Koronavirusi i ri përcillet me kollë, temperaturë dhe me raste rezulton në pneumoni.

Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Fillimisht për këtë virus është raportuar në Kinë, në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të fundit, të publikuara të mërkurën, 78,064 persona janë infektuar prej kur ka shpërthyer virusi.

Zyrtarët shëndetësorë kanë raportuar për 52 vdekje shtesë të martën, duke shënuar shifrën më të vogël të vdekjeve në tri javët e fundit.

Numri i personave që kanë vdekur vetëm në Kinë, ka arritur në 2,715.

Numri i të infektuarve të rinj ka rënë në Kinë, derisa vëmendja kryesore tani është te përhapja e koronavirusit të ri nëpër vende të ndryshme në botë.

XS
SM
MD
LG