Ndërlidhjet

Avdyli: Klinika Infektive posedon vetëm 6 shtretër me respirator për trajtimin e koronavirusit


Ilustrim.
Ilustrim.

Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me koronavirusin e ri.

Autoritetet përgjegjëse thonë se tashmë kanë marrë gjitha masat e duhura, në rast të shfaqjes së këtij virusi në vend.

Megjithëkëtë, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, të mbajtur të premten, anëtari i komisionit, deputeti Haxhi Avdyli, ngriti shqetësimin pasi, siç tha, në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare e vetmja në Kosovë, janë vetëm gjashtë (6) shtretër me respirator, që shërbejnë për të prekurit me koronavirusi i ri.

Ndryshe, shenjat kryesore të infektimit me koronavirusin e ri janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Avdyli tha se mungesa e respiratorëve mund të paraqesë problem për trajtimin e pacientëve në rast të shfaqjes së virusit dhe përhapjes së tij.

“Është bërë mobilizim nga institucionet gjegjëse, por kapacitetet tona janë të mangëta. Ka mungesë të shtretërve për trajtim të asistuar me respirator. Janë 6 shtretër në dispozicion për personat me pengesa në frymëmarrje”, tha Avdyli.

Në shumë vende të botës, vazhdojnë raportimet për raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, ndërsa bota po përgatitet për një pandemi të sëmundjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se të gjitha kombet duhet të përgatiten.

"Ky virus ka potencial pandemik", tha Tedros.

Nga koronavirusi i ri, që u paraqit për herë të parë në Kinë, janë infektuar më shumë se 83.000 njerëz në mbarë botën.

XS
SM
MD
LG