Ndërlidhjet

Putin dhe Erdogan bisedojnë për situatën në Siri


Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan kanë biseduar pasi 33 ushtarë turq u vranë në sulmet ajrore të Qeverisë siriane, që mbështetet nga Moska.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan, Donald Trump dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kanë ritheksuar mbështetjen e Uashingtonit për Turqinë, duke thënë se janë “duke rishikuar mundësitë për të ndihmuar” Ankaranë kundër “brutalitetit” sirian dhe rus.

Po ashtu, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i ka përshkruar luftimet në Siri – ku u vranë ushtarët turq – si “një nga momentet më alarmuese” në luftën civile nëntëvjeçare. Ai ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Presidenti rus, Putin dhe ai turk, Erdogan duket se kanë bërë përpjekje për të ulur tensionet ndërmjet dy vendeve, teksa Kremlini ka thënë se dy liderët kanë shprehur “shqetësim serioz” për situatën.

“Gjithmonë ka hapësirë për dialog”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Dy liderët kanë biseduar për “nevojën për të bërë gjithçka” që të zbatohet marrëveshja e armëpushimit në Idlib, që është arritur ndërmjet dy vendeve më 2018, por që ka dështuar që të zbatohet.

Edhe pse avionët luftarakë rusë zakonisht mbështesin forcat siriane, Erdogan ka fajësuar direkt për sulmin ndaj turpave turke, qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se Erdogan mund që të udhëtojë drejt Moskës javën e ardhshme për të zhvilluar bisedime.

Rusia, së bashku me Iranin, i ofrojnë ndihmë politike, ushtarake dhe financiare Assadit në luftën civile, që ka lënë të vdekur mbi 400 mijë persona dhe ka zhvendosur mijëra të tjerë, që prej se konflikti nisi në mars të vitit 2011.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mbështesin grupe të ndryshme rebele, teksa ekstremistët e lidhur me Al-Kaidën dhe grupin militant Shteti Islamik, po ashtu janë të përfshirë në konflikt, edhe pse shumica prej tyre tashmë janë dëbuar nga bastionet që kanë pasur në Siri.

XS
SM
MD
LG